Trajneri Shpetim Duro, qe pas humbjes me Skenderbeun, i druhej humbjeve te tjera te Beses
Që nga starti i fazes së trete, Besa nuk njeh rezultat tjetër, përpos humbjes. Për hir të realitetit, duhet pranuar se ndaj Skënderbeut dhe Kastriotit, Besa nuk kishte impenjimin për t’i fituar ato. Ndërsa sfidat me Flamurtarin, aq më tepër në Shkodër, verdhezinjtë donin t’i fitonin, por nuk mundën. Ishte kryebashkiaku vlonjat Gjika, që pasi u bind se në Kavajë i doli “djalë”, nxitoi të akuzonte Besën si ekip që kishte lëshuar e si “struci” kërkoi të mbulonte pikët që Flamurtari kishte marrë si mëshirë. Trajneri Shpëtim Duro, pas humbjes me Flamurtarin, do të deklaronte publikisht se Besa e tij nuk mundi të kthehej te forma e saj për shkak të humbjes së ritmit. Kështu ndodhi në të vërtetë edhe ndaj Vllaznisë, të paktën në rezultat, sepse në lojë Besa u mundua mjaft.
Duket se Besa u kujtua vonë për të luajtur fuqishëm e ndershëm dhe gjeti një Vllazni jo si dy herët e tjera, kur e mposhti. Vendasit, të rrezikuar nga rënia dhe për më tepër të inatosur me kavajasit, në fakt shfrynë dufin e tyre jo vetëm me fitore. Vllaznia, përtej shifrave të pastra, i hoqi Besës edhe shërbimet e Daniel Xhafajt. Krejt ndryshe do të ishte fati i verdhezijnve nëse Xhafaj do të ishte në lojë 90 minuta. Ajo që mbeti nga ky takim është humbja e katërt radhazi e verdhezinjve në këtë fazë të tretë, duke e renditur me asnjë pikë në këtë fazë. Tashmë Tirana, Laçi dhe Shkumbini i janë afruar ndjeshëm me vetëm 2 pikë pas saj.
Ndoshta Tirana nuk përbën rrezik, sepse Besa e pret atë në Kavajë, por Laçi, që pret Besën në Laç, duhet vlerësuar jo pak dhe po ashtu Shkumbini, që nën drejtimin e Përparim Daiut, nuk po njeh humbje. Besa, si kurrë më parë, tashmë duhet të mendojë seriozisht për vendin e dytë, ose thënë ndryshe, Europën. Shpresat duket janë mbështetur edhe te Kupa e Shqipërisë, por sfida në Peqin nuk do të jetë e lehtë. E nëse Besa eliminohet, atëherë besojmë se Bizhdili dhe futbollistët e Besës do ta marrin vesh se sa kushtojnë pikët e humbura në kampionat. Bizhdili ka vendosur heshtje shtypi, por as kjo nuk mundi ta shpëtojë nga humbja në Shkodër.
**************
Laçianët: Humbëm dy pikë në Durrës
Laçianët kanë barazuar në transfertën e vështirë përballë durrsakëve. Ndërsa për drejtuesit e Laçit, ky takim duhej të fitohej, pasi futbollistët humbën disa raste të pastra para portës vendase. Ky barazim ka bërë që tri ekipe tashmë të jenë pretendentë me pikë të barabarta për vendin e tretë dhe për të luajtur në Europë. Por a do të arrijë Laçi të realizojë objektivin, ose thënë ndryshe, ëndrrën europiane? Për zëvendëstrajnerin e ekipit të Laçit, Ardian Laska, ekipi i Laçit ka humbur dy pikë me ekipin e Teutës.
“Ekipi është në formë, por fitorja e ekipeve të tjera, që tani kanë njësoj pikë me ne, e bën edhe më të vështirë arritjen e objektivit. Në Durrës ne kemi lënë dy pikë. Po të ishim treguar më të kujdesshëm, do të arrinim të shënonim. Humbëm disa raste në këtë takim, por megjithatë e rëndësishëm është se ne arritem të merrnin një pikë. Gjendja morale e ekipit të Laçit mund të them është në nivelin e duhur dhe adrenalina për të arritur objektivat është rritur ndjeshëm te futbollistët. Kemi përsëri përballje të rëndësishme me rivalët, por për ne nuk ka asnjë mision të pamundur,” - ka thënë mes të tjerash zv/trajneri i Laçit, Ardian Laska.
Daiu: Ishte një fitore e vështirë me Gramozin
Shkumbini, përballë Gramozit, arriti fitoren e 11-të në fushën e vet, po aq sa Dinamo kryesuese, që pritet të shpallet kampione. Me këtë fitore, ekipi i drejtuar nga kavajasi Përparim Daiu u ngjit në kuotën e 38 pikëve, duke ndarë me Laçin dhe Tiranën vendin e tretë, vend që të çon në Europë. Po Shkumbini mund të shkojë në Europë edhe nëpërmjet Kupës së Shqipërisë po qe se arrin këtë të mërkurë të eliminojë Bësën në ndeshjen e kthimit, që luhet në Peqin, për të dalë në finale me fituesen e çiftit tjetër gjësmëfinalist Vllaznia-Teuta.
Për kreun e pankinës bardhekaltër, fitorja ndaj Gramozit ka qenë e vështirë, edhe për shkak të impenjimeve të pandërprera në kupë dhe kampionat, që në një farë mënyre kanë ndikuar në freskinë fizike të grupit të tij, sepse ngarkesa ka qenë e plotë dhe kundështari i radhës më pranë se kurrë drejt rikthimit në kategorinë inferiore. “Ishte një fitore e vështirë, por plotësisht e merituar përballë një ekipi, që e kërkoi deri në fund rezultatin pozitiv në Peqin. Theksoj se Shkumbini tregoi edhe një herë se është nga ekipet më korrektë dhe i ka luajtur të gjitha ndeshjet drejt, duke dhënë maksimumin pa lëshuar dhe toleruar askund,” - tha trajneri i peqinasve, Përparim Daiu.